
Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka evidentuar dhe proceduar disa raste penale në 24 orët e fundit, për vepra që lidhen me qarkullimin rrugor, narkotikët, ndërtimet pa leje dhe shkelje të masave të sigurisë.
Aksident dhe drejtim në gjendje të dehur
U arrestua në flagrancë B. D., 47 vjeç, banues në fshatin Allkaj, pasi në Ngurrëz e Madhe përplasi një motomjet duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Si pasojë, u plagos drejtuesi i motomjetit A. G., 38 vjeç, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Po ashtu, për drejtim në gjendje të dehur, u arrestuan edhe:
- P. P., 45 vjeç (Fier)
- L. D., 25 vjeç (Lushnjë)
- R. Xh., 35 vjeç (Lushnjë)
Narkotikë
U procedua penalisht Xh. F., 23 vjeç, nga Ndërmënas, pasi gjatë një kontrolli fizik iu gjet një sasi e vogël kokaine, që u sekuestrua si provë materiale.
Shkelje penale të ndryshme
U referuan materialet në Prokurori për këta shtetas:
- S. H., banues në Fier – u kap jashtë banesës ndonëse kishte masë sigurie “Arrest në shtëpi” për “Shkatërrim prone me zjarr”.
- E. M., 67 vjeç – për “Ndërtim të paligjshëm”.
- Dh. D., 52 vjeç – dyshohet se ka prishur disa herë rrethimin e pronës së një 60-vjeçari.
- A. H., 34 vjeç dhe S. H., 20 vjeç, banues në Kreshpan – kanë tentuar të vjedhin dëngje jonxhe në fshatin Shtyllas, në pronën e një 36-vjeçari.
- Ndërtim i paligjshëm në Divjakë
Procedim penal edhe për A. Ç., 26 vjeç, nga Divjaka, për ndërtim pa leje.
Zhdukje personi
Në Komisariatin e Policisë Fier është paraqitur shtetasi Xh. Sh., i cili ka kallëzuar largimin e vëllait të tij, M. Sh., 72 vjeç, që ndodhet i zhdukur prej 20 ditësh. Po punohet për gjetjen e tij.
Të gjitha materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Fierit për veprime të mëtejshme ligjore.