Nisin në shtator punimet ne elektrifikimin e hekurudhes Tiranë–Durrës–Rinas

Tenderi për elektrifikimin e linjës hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas është mbyllur me përzgjedhjen e kompanisë që do të realizojë punimet, duke shënuar një tjetër hap drejt vënies në funksion të kësaj infrastrukture strategjike.

🎧 Dëgjo artikullin në Shqip
Gati për lexim në Shqip

Kreu i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, bëri me dije se kontrata me kompaninë italiane fituese pritet të firmoset gjatë muajit korrik, ndërsa nisja e punimeve është planifikuar për në shtator.

Vlera e ofertës fituese arrin në 22 milionë euro dhe përfshin jo vetëm elektrifikimin e linjës Tiranë–Durrës–Rinas, por edhe 4 kilometra shtesë hekurudhë që do të shërbejnë për rikthimin e stacionit të trenit në Tiranë.

Procedura e tenderimit u hap në shtator të vitit të kaluar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa autoriteti kontraktor është Hekurudha Shqiptare.

Elektrifikimi konsiderohet si një nga fazat e fundit për përmbylljen e projektit. Aktualisht, punimet civile kanë përfunduar, ndërsa vijon ndërtimi i godinave të stacioneve. Në të njëjtën kohë, po ecin edhe procedurat për ndërtimin e stacionit të Rinasit, si dhe segmentit që do të lidhë terminalin e autobusëve në Kashar me ish-stacionin e trenit në kryeqytet.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
23 June, 17:15 | Përditësimi: 23 June, 17:15