Mbi 130 mijë pensionistë vijojnë punën në Shqipëri, rritet numri i të moshuarve aktivë në tregun e punës

Screenshot

Numri i shqiptarëve që vazhdojnë të punojnë edhe pas daljes në pension ka shënuar rritje gjatë vitit 2025, duke reflektuar si ndryshimet demografike, ashtu edhe nevojën për të ardhura shtesë.

🎧 Dëgjo artikullin në Shqip
Gati për lexim në Shqip

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2025 rezultojnë të punësuar 130,274 persona mbi moshën 65 vjeç, nga 119,862 që ishin një vit më parë. Kjo përkthehet në mbi 10 mijë pensionistë më shumë që kanë mbetur aktivë në tregun e punës.

Pjesa dërrmuese e tyre janë të vetëpunësuar, kryesisht në sektorin e bujqësisë. Shumë prej tyre vijojnë aktivitetin në fermat familjare, duke prodhuar kryesisht për vetëkonsum, çka sipas metodologjisë së INSTAT i klasifikon si të punësuar.

Rritja e të moshuarve aktivë vjen paralelisht me plakjen graduale të popullsisë dhe tkurrjen e grupmoshave në moshë pune. Gjatë vitit 2025, popullsia mbi 15 vjeç ra në rreth 2 milionë banorë, ndërsa numri i personave ekonomikisht aktivë shënoi një rënie të lehtë.

Ndërkohë, 51% e popullsisë ekonomikisht joaktive mbi 15 vjeç përbëhet nga persona që janë larguar nga tregu i punës për shkak të pensionit.

Ekspertët vlerësojnë se ky trend lidhet jo vetëm me plakjen e popullsisë dhe emigrimin, por edhe me faktin se për shumë pensionistë, sidomos në zonat rurale, puna mbetet pjesë e stilit të jetesës dhe një burim i rëndësishëm të ardhurash.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
23 June, 17:09 | Përditësimi: 23 June, 17:09