Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë me dije se edhe pensionistët që kanë futur qiraxhinj në banesën ku banojnë vetë, do të jenë të detyruar të paguajnë tatim nëse të ardhurat nga qiraja kalojnë shumën 50 mijë lekë në vit.
Ky sqarim vjen në kuadër të një materiali informues me pyetje dhe përgjigje të publikuar në faqen zyrtare të Tatimeve, ku theksohet se çdo individ që përfiton të ardhura qiraje mbi kufirin minimal të parashikuar nga ligji, është i detyruar të dorëzojë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) dhe të paguajë tatimin prej 15%.
Një nga rastet e trajtuara në publikim ishte ai i një pensionisti që ka lejuar një person të jetojë me qira në banesën e tij, kundrejt pagesës prej 5 mijë lekësh në muaj. Për këtë rast, Tatimet sqarojnë:
“Duke qenë se e ardhura vjetore nga qiraja është 60 mijë lekë, dhe nuk është tatimuar më parë, lind detyrimi për deklarim dhe pagesë tatimi. Individit i kërkohet të dorëzojë DIVA 2025 dhe të paguajë tatimin përkatës.”
Ky rregull aplikohet pavarësisht statusit social apo ekonomik të individit, dhe është pjesë e zbatimit të politikave fiskale të njëtrajtshme për të gjitha kategoritë e qytetarëve.
Ndërkohë, ndryshimet e njëpasnjëshme në ligjet tatimore dhe procedurat përkatëse kanë krijuar konfuzion tek shumë qytetarë, veçanërisht tek ata që nuk kanë pasur më parë detyrime të tilla. Për këtë arsye, Tatimet kanë publikuar një udhëzues të detajuar për të ndihmuar qytetarët të kuptojnë detyrimet e tyre dhe mënyrën e deklarimit
