23 ditë protestë/A po lëkundet qeveria nga rruga apo nga politika?

Për 23 ditë me radhw, sheshet dhe rrugët e Tiranës janë kthyer në skenën kryesore të pakënaqësisë politike në vend. Thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, turmat përballë Kryeministrisë dhe tensioni i vazhdueshëm kanë krijuar një atmosferë që Shqipëria nuk e kishte parë prej kohësh me këtë intensitet dhe vazhdimësi.

🎧 Dëgjo artikullin në Shqip
Gati për lexim në Shqip

Por pyetja që shtrohet sot është më e madhe se vetë protesta: A mjafton dhe a eshte kjo rruga për të rrëzuar një qeveri?

Historia politike shqiptare dhe ajo rajonale tregojnë se protestat janë një instrument i fuqishëm presioni, por jo gjithmonw një mekanizëm i drejtpërdrejtë për ndryshim pushteti. Qeveritw nuk bien vetëm nga zemërimi popullor, ato bien kur protesta arrin të çajë murin politik të pushtetit kur krijohen krisje brenda shumicës, kur deputetët fillojnë të distancohen, kur aleatët heshtin dhe kur kostoja e qëndrimit në pushtet bëhet më e madhe se largimi.

Deri tani, Partia Socialiste vijon të mbajë kontrollin institucional dhe shumicën parlamentare. Kjo e bën të vështirë një dorëheqje të menjëhershme të kryeministrit Rama vetëm si pasojë e protestave në rrugë. Megjithatë, do të ishte gabim të nënvlerwsohej pesha politike e një proteste që po hyn në javën e katërt.

Sepse edhe kur nuk rrëzojnë qeveri, protestat mund të ndryshojnë klimën politike të një vendi. Ato konsumojnë pushtetin dita-ditës, rrisin presionin publik, nxjerrin në pah pakënaqësi të fshehura dhe krijojnë perceptimin se vendi po hyn në një fazë paqëndrueshmërie politike.

Nga ana tjetër, opozita përballet me sfidën më të madhe: Ta kthejë revoltën qytetare në alternativë konkrete qeverisëse. Turma mund të mbushë bulevardin, por pushteti fitohet kur bindet shumica e heshtur e shoqërisë. Nwse protesta mbetet vetëm zemërim pa projekt politik, energjia e saj rrezikon të zbehet me kalimin e kohës.

Shqipëria ndodhet përballë një momenti delikat. Një palë sheh protestën si shpresë për ndryshim, pala tjetër si përpjekje për destabilizim. Por përtej narrativave politike, një gjë është e qartë,23 ditë protestë radhazi nuk janë më një episod i zakonshëm politik. Ato janë tregues i një tensioni real shoqëror që nuk mund të injorohet.

Në fund, përgjigjja për fatin e qeverisë nuk do të vijë vetëm nga rruga, por nga përplasja mes presionit qytetar, qëndrueshmërisë politike të mazhorancës dhe aftësisë së opozitës për të kthyer protestën në ndryshim real.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
23 June, 15:42 | Përditësimi: 23 June, 15:42