Zjarr në malin e Dukatit, në rrezik Parku Kombëtar i Llogarasë – mbi 160 hektarë të djegura

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë prej më shumë se 24 orësh malin Vastak, në fshatin Dukat të Vlorës, duke shkrumbuar mbi 160 hektarë me bimësi të dendur, shkurre dhe pyje me pisha. Situata është kritike dhe ka ngritur alarmin për rrezik të drejtpërdrejtë ndaj Parkut Kombëtar të Llogarasë, një nga zonat me vlera të larta ekologjike në vend.

Terreni i thyer malor, mungesa e rrugëve të aksesueshme dhe mungesa e burimeve ujore po e vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, të cilat po punojnë me mjete dore, si lopata, kazma dhe pompa shpine.

Burime nga vendngjarja raportojnë se vija e zjarrit është e gjatë 3 deri në 4 kilometra, me degëzime të shumta, që për shkak të erës dhe terrenit të pjerrët rrezikojnë përhapje të mëtejshme. Krahu jugor i zjarrit, më pranë zonës së mbrojtur të Llogarasë, konsiderohet zona më kritike dhe po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.

Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencës vijojnë përpjekjet për izolimin e flakëve, ndërkohë që ndërhyrja ajrore mbetet e pamundur për shkak të kushteve të vështira dhe mungesës së mjeteve të specializuara.