
Bashkia Fier ka nisur një fushatë paralajmëruese ndaj subjekteve tregtare që kanë zënë hapësira publike pa kryer pagesat përkatëse. Strukturat përgjegjëse të Inspektoriatit Vendor kanë dalë në terren për të evidentuar rastet e zaptimit të trotuareve, rrugëve, dhe shesheve publike nga bizneset, duke shpërndarë njoftime zyrtare dhe vendosur afate të qarta për pagesën e detyrimeve.
Zyrtarët lokalë bëjnë me dije se këto paralajmërime janë faza e fundit përpara marrjes së masave ndëshkuese si: gjobitje, bllokim aktiviteti apo edhe konfiskim i pajisjeve të vendosura në mënyrë të paligjshme.
“Bizneset që shfrytëzojnë hapësira publike për reklama, tavolina, tenda apo struktura të tjera, duhet të kryejnë menjëherë pagesat për përdorim të përkohshëm. Ligji do të zbatohet njësoj për të gjithë”, theksoi një përfaqësues i bashkisë.
Qytetarët gjithashtu kanë ngritur shqetësime për bllokimin e rrugëve dhe pamundësinë për të lëvizur lirshëm, çka ka shtuar presionin ndaj autoriteteve për të vepruar.
Bashkia u bën thirrje të gjithë subjekteve që zotërojnë ose përdorin hapësira publike pa autorizim apo pa paguar tarifën e përdorimit, të paraqiten pranë zyrave përkatëse dhe të rregullojnë situatën ligjore brenda afatit të përcaktuar. Në të kundërt, do të përballen me penalitetet ligjore pa përjashtim.