“Njësia e re kundër korrupsionit në Shqipëri po godet të pushtetshmit”, shkruan prestigjiozja britanike The Economist, duke theksuar se në rrjetën e SPAK-ut kanë rënë politikanë të rëndësishëm në Tiranë.
Përveç arrestimit shtëpiak të Sali Berishës dhe burgosjes së Ilir Metës, revista ndalet edhe te çështja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Vëllai i tij ka deklaruar për The Economist se “SPAK ka dalë jashtë kontrollit” dhe se po e mban Veliajn në burg për arsye të pabaza.
SPAK (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), që nisi punën në vitin 2019, gëzon besimin e 76% të shqiptarëve, sipas sondazheve, duke e bërë institucionin më të popullarizuar në vend. Gjithnjë e më shumë pjesëtarë të elitës politike dhe zyrtarë të lartë të PS-së janë përfshirë në hetimet e saj.
The Economist kujton se edhe kryeministri Edi Rama nuk është më aq entuziast sa dikur, kur SPAK arrestonte vetëm kundërshtarët e tij politikë.
