
KREDI NË 5 MINUTA, RRJEPJE NË 5 VITE! Firmat si IuteCredit dhe Kredo.al po zhvasin shqiptarët me interesa përtej çdo limiti – shteti hesht
Duket si zgjidhje e shpejtë dhe e lehtë, por në fakt është një kurth i pastër financiar. Firmat që ofrojnë kredi të shpejta brenda 5 minutash, si IuteCredit dhe Kredo.al, po zhvasin qytetarët me interesa të fshehura dhe praktika abuzive që kalojnë çdo kufi etik dhe ligjor.
Këto kompani e reklamojnë veten me përqindje interesi të ulët – 13%, por kur qytetari firmos kontratën, përballen me norma efektive interesi që shkojnë nga 38% deri në 45%, duke e kthyer kredinë e vogël në një borxh të madh, që për shumëkënd bëhet i pakthyeshëm.
Mashtrimi është i mirëorganizuar: Përmes kontratave të ndërlikuara, tarifave të fshehta dhe penaliteteve të paarsyeshme për vonesat, qytetarët përfundojnë në një cikël të pafund borxhi, ku çdo muaj paguajnë vetëm interesa, ndërsa shuma kryesore nuk lëviz.
Shteti mungon! Në një kohë kur ligji për normat maksimale të interesit ekziston, kontrolli mungon. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare heshtin përballë këtyre abuzimeve të hapura, ndërsa firmat vazhdojnë të pasurohen mbi varfërinë dhe dëshpërimin e qytetarëve.
Në rrjete sociale, dhjetëra qytetarë ndajnë historitë e tyre të mashtrimit, por asnjë institucion nuk reagon. A po pret shteti të jetë shumë vonë për të ndërhyrë?
Është koha për kontroll të rreptë dhe ndërhyrje të menjëhershme ndaj këtyre firmave kredidhënëse, para se borxhi të bëhet plagë sociale e pashërueshme!