
Në seancën e radhës për çështjen “Gërdeci” në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu kundërshtoi akt-ekspertizën e paraqitur nga grupi i ekspertëve të çështjes, ndërsa kërkoi që gjykata të marrë parasysh edhe dëshmitë e personaliteteve politike dhe ushtarake të kohës, të dhëna në Shtetet e Bashkuara.
Mediu solli në vëmendje një letër që gjashtë kongresmenë amerikanë i kanë dërguar Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë. Në letër, kongresmenët kërkojnë që deklaratat e dhëna në SHBA nën betim (afidavit) nga ish-zyrtarë të lartë, të cilat sipas sistemit amerikan kanë vlerë prove ligjore, të merren në konsideratë gjatë procesit gjyqësor për çështjen “Gërdeci”.
Ky reagim i Mediut vjen pas vendimit të GJKKO-së për të mos pranuar thirrjen e këtyre dëshmitarëve për t’u paraqitur fizikisht në seancë.
Çështja “Gërdeci” lidhet me shpërthimin tragjik në vitin 2008 në një fabrikë demontimi armësh, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Mediu akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të procedurave në ngritjen dhe funksionimin e kësaj fabrike.
Seanca e radhës për këtë proces është caktuar më 24 qershor, ora 13:00.