
Përplasja e nisur së fundmi mes ish-Presidentit Donald Trump dhe Elon Musk duket se po shuhet, pasi drejtuesi i kompanisë Tesla dhe SpaceX shprehu pendesë për disa nga komentet e tij kundër aleatit të dikurshëm politik.
“Ndihem keq për disa nga postimet e mia në lidhje me Presidentin @realDonaldTrump javën e kaluar,” shkroi Musk në platformën X. “Shkuan shumë larg.” Ai nuk specifikoi se cilat postime e bënë të ndjehej në faj, por dyshohet se i referohej akuzës që emri i Trump ishte përmendur në dosjet e miliarderit pedofil Jeffrey Epstein – postim të cilin Musk e fshiu brenda dy ditësh. Ai gjithashtu fshiu një tjetër postim ku kërkonte shkarkimin e Trump nga detyra.
Musk, ish-këshilltar presidencial dhe drejtues i Departamentit për Efiçencën Qeveritare, u distancua nga administrata për shkak të një projektligji të diskutueshëm të njohur si “Big Beautiful Bill”, të cilin ai e quajti një “turp i neveritshëm”. Ligji është miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve, por ende mund të rrëzohet nga Senati.
Miliarderi ndau gjithashtu komente të vjetra të Trumpit, udhëheqësit të shumicës në Senat John Thune dhe Kryetarit të Dhomës Mike Johnson në lidhje me borxhin kombëtar, duke i akuzuar se kanë braktisur parimet e tyre duke mbështetur këtë legjislacion. Ai pati edhe fjalë të ashpra për ish-këshilltarin e Trumpit, Steve Bannon, të cilin e quajti “një komunist idiot”. Bannon u përgjigj duke sugjeruar që Musk të deportohej.
Megjithatë, Musk ndau edhe një pamje nga një postim i Trump në rrjetin Truth Social në mënyrë mbështetëse dhe citoi Zëvendëspresidentin JD Vance, të shoqëruar me emoji të flamurit amerikan. Ai ishte gjithashtu shumë kritik ndaj trazirave në Los Anxhelos dhe shprehu mbështetje për reagimin e administratës ndaj tyre.
Trump reagoi duke thënë se Musk “ka humbur mendjen” dhe për NBC gjatë fundjavës e quajti atë “shumë të pasjellshëm.” Ai kërcënoi gjithashtu të pezullojë kontratat shtetërore me kompanitë e Musk. Megjithatë, të hënën ai u shpreh më i butë, duke thënë se i uron Musk-it çdo të mirë.