
Policia e Himarës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Midnight”, i fokusuar në goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi S. G., 46 vjeç, banues në Tiranë.Ky shtetas u kap në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj 2025, menjëherë pasi kishte kryer një vjedhje në ambientet e një kompleksi me apartamente pushimi në Himarë, ku kishte marrë tre celularë dhe një shumë parash.Gjatë kontrollit në ambientin ku qëndronte, policia gjeti dhe sekuestroi 10 granata dore luftarake, 6 aparate celularë të dyshuar si të vjedhur, si dhe veshje dhe doreza të përdorura gjatë vjedhjeve.Nga hetimet rezulton se S. G. është autor edhe i dy vjedhjeve të tjera të ndodhura më datë 7 dhe 11 maj 2025, në të njëjtin kompleks dhe në një banesë në lagjen “Livadh”, ku janë vjedhur celularë dhe shuma prej 98,000 dhe 90,000 lekësh.Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua edhe shtetasja D. Rr., 27 vjeçe, banuese në Vlorë, e cila akuzohet për moskallëzim krimi, pasi qëndronte në të njëjtin ambient me autorin dhe dyshohet se kishte dijeni për aktivitetin kriminal.
Policia vijon hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rasteve të tjera, ku ky shtetas dyshohet si autor.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.