UASHINGTON – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka publikuar të dhënat për vitin 2025, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 83-të në botë për të ardhurat për frymë. Ndonëse vendi ka shënuar rritje statistikore duke lënë pas disa fqinjë rajonalë, analiza e thelluar tregon se kostoja e lartë e jetesës po gërryen mirëqenien reale të qytetarëve.
Parakalimi rajonal dhe efekti i kursit Të ardhurat për frymë në Shqipëri kanë arritur në 11,000 dollarë, duke shënuar një kapërcim historik ndaj Maqedonisë së Veriut (10,377 USD) dhe Bosnjë-Hercegovinës (9,467 USD). Sipas ekspertëve, ky “pasurim” statistikor është ndikuar ndjeshëm nga zhvlerësimi i Euros dhe Dollarit përballë Lekut, gjë që rrit automatikisht vlerën e të ardhurave kur konvertohen në valutë të huaj.
Renditja në Rajon (Të ardhura për frymë):
-
Serbia: 15,300 USD (Merr kryesimin)
-
Mali i Zi: 14,900 USD
-
Shqipëria: 11,000 USD
-
Maqedonia e Veriut: 10,377 USD
-
Bosnja: 9,467 USD
-
Kosova: 8,033 USD (Më e varfra në Europë)
Paradoksi i Fuqisë Blerëse: Pse jemi pas Maqedonisë? Treguesi më shqetësues mbetet ai i “Fuqisë Blerëse” (PPP), i cili mat se sa mallra dhe shërbime mund të blejë realisht një qytetar me paratë që ka. Në këtë renditje, Shqipëria bie në vendin e 85-të (me 23,300 dollarë ndërkombëtarë), duke mbetur pas Maqedonisë së Veriut e cila renditet e 77-ta. Kjo diferencë tregon qartë se, edhe pse shqiptarët kanë të ardhura nominale më të larta se maqedonasit, çmimet në Shqipëri janë më të shtrenjta, duke bërë që paraja të ketë më pak vlerë reale.
Larg standardit europian Pavarësisht rritjes, hendeku me Europën mbetet i thellë. Të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë sa 23.7% e mesatares së Bashkimit Europian dhe sa 28% e mesatares së kontinentit. Madje, Shqipëria ende nuk ka kapur as mesataren globale (14,600 USD), duke qenë në nivelin 76% të saj.
