Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Vlorë ka nisur prej disa ditësh një aksion të gjerë inspektimesh në dhjetëra biznese të qytetit, pas dyshimeve për mish pule të kontaminuar me salmonelë.
Aksioni është përqendruar kryesisht në subjektet private të identifikuara si me risk të lartë, ku ekziston mundësia e tregtimit të produkteve ushqimore të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve. Inspektorët e sigurisë ushqimore po vijojnë kontrollet edhe gjatë ditës së enjte.
Sipas burimeve nga AKU, kontrollet janë shtrirë përtej tregjeve dhe supermarketeve, duke përfshirë edhe biznese në zonat rurale dhe lagjet e qytetit. Po ashtu, pjesë e këtij monitorimi janë edhe restorantet dhe fast-food-et, ku disa janë verifikuar më parë, ndërsa inspektimet po vijojnë në subjekte të tjera.
AKU thekson se qëllimi i këtij aksioni është garantimi i sigurisë ushqimore dhe mbrojtja e shëndetit të qytetarëve nga produktet e rrezikshme. Kontrollet pritet të intensifikohen edhe në ditët në vijim.
