
Në Parlamentin Evropian është zhvilluar një debat i ashpër mbi gjendjen e demokracisë në Serbi, ku eurodeputetët ngritën shqetësime serioze për nivelin e represionit dhe dhunës në vend gjatë dhjetë muajve të fundit. Ata akuzuan presidentin Aleksandër Vuçiq se ka instaluar një model pushteti autoritar, i cili, sipas tyre, është i papranueshëm për një shtet që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian.
Në fjalët e tyre, eurodeputetët theksuan se degradimi i demokracisë, censura e mediave dhe polarizimi politik në Serbi përbëjnë kërcënim serioz për vlerat evropiane. Ata paralajmëruan se Beogradi duhet të ndalë menjëherë përshkallëzimin e represionit, përndryshe procesi i anëtarësimit do të mbetet i bllokuar.
Një nga momentet që ndezi debatin ishte ndërhyrja brutale e policisë gjatë protestës në Novi Sad, ngjarje që, sipas eurodeputetëve, tregoi fytyrën e vërtetë të autoriteteve serbe ndaj qytetarëve dhe të drejtës për protestë paqësore.
Në Beograd, reagimet kanë qenë të ndara. Opozita e sheh këtë debat si një sinjal të qartë se Brukseli nuk do të mbyllë më sytë ndaj shkeljeve të Vuçiqit, ndërsa një pjesë e opinionit publik e konsideron si fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian.
Ekspertët politikë vlerësojnë se tonet e reja të BE-së ndaj Beogradit përfaqësojnë një presion të fortë diplomatik, i cili mund të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e negociatave të anëtarësimit të Serbisë.