
Bilanc i rëndë aksidentesh në Fier gjatë muajit gusht: 3 viktima dhe 9 të plagosur rëndë
Muaji gusht ka shënuar një bilanc të rëndë aksidentesh rrugore në qarkun e Fierit, me pasojë 3 humbje jete dhe 9 persona të plagosur rëndë.
Sipas të dhënave zyrtare, shkaqet kryesore të këtyre ngjarjeve lidhen me shpejtësinë e lartë dhe parakalimet e gabuara. Autoritetet vendore theksojnë se ndër akset më problematike mbeten:
- “Pushimi i Shoferit”
- “Kryqëzimi i Savrës”
- Aksi “Savër–Çermë”
- “Rrethrrotullimi Savër–Ura e Kuçit”
- “Kryqëzimi i Vajkanit”
- “Rrethrrotullimi i Parkut–Qendër”
- “Qendër–QTU”
Në këto segmente, kontrollet e policisë kanë vijuar në mënyrë të pandërprerë me patrulla dhe shërbim të përforcuar.
Vetëm gjatë muajit gusht, në qarkun e Fierit janë vendosur 6088 masa administrative, prej të cilave:
- 4185 për tejkalim shpejtësie,
- 416 për parakalim të gabuar,
- 22 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit,
- 122 për drejtim pa rrip sigurimi,
- 12 për përdorim celulari gjatë drejtimit,
si dhe raste të tjera shkeljesh, përfshirë përdorimin e automjeteve nga adoleshentë.
Edhe pse gushti shënon fundin e sezonit turistik, trafiku në Fier vijon të mbetet i rënduar. Autoritetet apelojnë për kujdes maksimal dhe respektim të rregullave të qarkullimit rrugor, për të shmangur ngjarje të rënda.