
Ky kalë ishte një nga viktimat e zjarrit të frikshëm që përfshiu zonën e Delvinës. Pamjet e trishta të kafshës së braktisur, që kishte pësuar djegie dhe endej i vetëm në zonën e përfshirë nga flakët, bënë xhiron e rrjeteve sociale një ditë më parë dhe shkaktuan reagime të shumta.
Për fat të mirë, reagimi nuk mungoi. Pas njoftimit të marrë lidhur me gjendjen e rënduar të kafshës, Inspektori Veterinar i Bashkisë Delvinë, Artan Alinani, dhe ai i Njësisë Administrative Vergo, Ilir Liçaj, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve, morën masa të menjëhershme për ta trajtuar kalin.
Kafsha u transportua, iu ofrua ndihmë veterinare për plagët e shkaktuara nga flakët, u ushqye dhe u sistemua në kushte të sigurta.
Sipas informacionit të dhënë nga autoritetet lokale, gjendja e kalit është stabilizuar dhe paraqitet e mirë. Lajmi i bukur që mbyll këtë histori me nota shprese është fakti se kalin e ka marrë në kujdes një Fondacion Gjerman, i specializuar në mbarështimin dhe rehabilitimin e kuajve të braktisur apo të dëmtuar.
Një fund i lumtur për një histori që mund të kishte përfunduar ndryshe, falë ndërhyrjes së duhur dhe ndjeshmërisë së komunitetit.