Netanyahu merr vendimin final: Izraeli drejt pushtimit të plotë të Gazës, në plan zonat ku mbahen pengje

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka konfirmuar vendimin për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës, duke përfshirë edhe operacionet në zonat ku dyshohet se mbahen pengje nga Hamasi. Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit izraelit, e cila ka përcjellë një mesazh të prerë për Shefin e Shtabit: “Nëse kjo nuk ju përshtatet, atëherë duhet të jepni dorëheqjen.”

Vendimi vjen pas disa muajsh negociatash të pasuksesshme në Doha, ku Izraeli, Hamasi dhe ndërmjetës ndërkombëtarë kanë tentuar të gjejnë një marrëveshje armëpushimi dhe lirimi të pengjeve. Hamasi ka kërkuar që qindra kamionë me ndihma humanitare të lejohen të hyjnë në Gaza, për të rifilluar negociatat, pavarësisht krizës së thellë humanitare.

Ndërkohë, Hamasi ka publikuar video gjatë fundjavës ku shfaqen pengje në gjendje të rënduar fizike, duke pretenduar se ata po vdesin nga uria për shkak të kushteve katastrofike në territorin palestinez.

Përshkallëzimi i konfliktit dhe planet për ofensivë të plotë pritet të sjellin pasoja të rënda për civilët dhe për rajonin në tërësi.