Alarm për cunami në Paqësor – Tërmeti 8.8 ballë në Rusi, dallgët godasin brigjet e Japonisë dhe Hawaii

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë ka goditur mëngjesin e sotëm brigjet lindore të Rusisë, duke shkaktuar një alarm global për cunami në të gjithë rajonin e Oqeanit Paqësor.

Sipas Qendrës së Paralajmërimit për Cunami në Paqësor, pas lëkundjes së fortë që u regjistrua pranë Gadishullit Kamchatka, dallgët e para të cunamit kanë mbërritur tashmë në Ishujt Kuril, Hokkaido në Japoni dhe në brigjet e Hawaii-t.

Autoritetet në Japoni dhe Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar menjëherë njoftime emergjente për evakuim, duke u bërë thirrje banorëve të largohen nga zonat bregdetare dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë.

Paralajmërim edhe për Zelandën e Re dhe Amerikën Latine

Rreziku i cunamit nuk është i kufizuar vetëm në Azinë Lindore. Paralajmërime janë dhënë edhe për Zelandën e Re, Ekuadorin, si dhe për bregdetin perëndimor të SHBA-së dhe Kanadasë.

Sipas vlerësimeve të deritanishme, valët e cunamit pritet të jenë nga 1 deri në 3 metra, me rrezik për përmbytje të shpejta dhe dëme materiale përgjatë zonave bregdetare.

Pamje dramatike të publikuara në mediat ndërkombëtare tregojnë valë të fuqishme dhe përmbytje në disa rajone të prekura.

Autoritetet ndërkombëtare të mbrojtjes civile janë në gjendje gatishmërie të lartë, ndërsa vijojnë vlerësimet për dëme të mundshme dhe rrezikun e pasgoditjeve