Sarandë: 31-vjeçari procedohet penalisht për parkim mbi trotuar, pengoi qarkullimin në “Vangjel Pandi”

Sarandë – Parkoi mbi trotuar duke bllokuar qarkullimin, procedohet penalisht dhe gjobitet me 20 000 lekë 31-vjeçari nga Kamza

Strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë vijuar me kontrollet intensive në terren, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të parkimeve të parregullta që cenojnë rendin dhe sigurinë publike në qytet.

Më datë 26 korrik 2025, rreth orës 23:30, në rrugën “Vangjel Pandi” të Sarandës, efektivët e policisë konstatuan një automjet të parkuar mbi trotuar, duke penguar rëndë qarkullimin e automjeteve të tjera dhe duke bllokuar rrugëkalimin për këmbësorët.

Pas verifikimeve, drejtuesi i mjetit rezultoi të ishte shtetasi E. D., 31 vjeç, banues në Kamëz. Ndaj tij, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për veprën “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal.

Përveç ndjekjes penale, shërbimet e Qarkullimit Rrugor Sarandë vendosën gjithashtu një masë administrative prej 20 000 lekësh, bazuar në nenin 159, pika 2/4 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, duke theksuar se çdo parkim i gabuar, veçanërisht në trotuare apo rrugëkalime, përbën rrezik për sigurinë publike dhe do të ndëshkohet menjëherë, si me gjoba, ashtu edhe me procedim penal në rastet e përsëritura apo të rënda.

Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljeve të tilla në numrin 112, duke garantuar reagim të shpejtë dhe në përputhje me ligjin.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
27 Korrik, 18:17 | Përditësimi: 27 Korrik, 18:17