Arrestohet autori i zjarrvënies në malin e Shashicës ku u rrezikuan nga flaket fshatrat Kaninë dhe Sherishtë

Një zjarr masiv përfshiu mbrëmjen e djeshme malin e Shashicës, duke rrezikuar seriozisht zonat e banuara pranë fshatrave Kaninë dhe Sherishtë. Flakët përfshinë një sipërfaqe të madhe me bimësi të dendur, ndërsa era e fortë dhe temperaturat e larta përshpejtuan përhapjen e tyre në drejtim të banesave dhe staneve të bagëtive.

Policia ka bërë të ditur se zjarri dyshohet se është shkaktuar qëllimisht. Në pranga është vënë shtetasi E. F., banues në Kaninë, i cili zotëron një stan bagëtish pranë zonës ku dyshohet se ka nisur vatra. Ai akuzohet për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vijojnë.

Sipas të dhënave paraprake, motivi i zjarrvënies dyshohet të jetë hapja e kullotave të reja për bagëtinë – një praktikë e paligjshme dhe e rrezikshme, që po shkakton dëme të mëdha mjedisore dhe rrezikon jetën e banorëve.

Autoritetet vijojnë të jenë në terren për të mbajtur nën kontroll situatën