Kodi i ri Penal: Burg për profilet false në rrjete sociale dhe përndjekjen online – deri në 6 vite dënim!

Risitë e Kodit Penal – Dënime me burg për profilet false në Facebook dhe përndjekjen online

Kodi i ri Penal që po hartohet nga Ministria e Drejtësisë sjell disa risi të rëndësishme në fushën e krimeve kibernetike dhe sjelljeve të dëmshme në rrjetet sociale.

Sipas draftit të prezantuar, hapja e një profili të rremë në emër të dikujt tjetër, duke përdorur imazhin apo identitetin e tij, do të konsiderohet krim penal në rast se shkakton ngacmim, përndjekje apo poshtërim ndaj personit në fjalë. Dënimi për këtë vepër parashikohet deri në 3 vjet burg ose gjobë.

Drafti përfshin gjithashtu dënime të reja për përdorimin e teknologjisë për përndjekje dhe mbikëqyrje të paligjshme. Kushdo që ndjek apo kërcënon në mënyrë të përsëritur një person përmes mjeteve dixhitale, duke shkaktuar frikë apo shqetësim për sigurinë personale, rrezikon nga 2 deri në 6 vite burg.

Po ashtu, dënim deri në 3 vjet burg parashikohet për sulme online që sjellin dëmtime psikologjike te viktima, si dhe për çdo komunikim elektronik të paautorizuar që ka për qëllim frikësimin apo tronditjen emocionale të një personi.

Këto ndryshime synojnë të modernizojnë sistemin ligjor shqiptar për t’iu përgjigjur rreziqeve të reja që vijnë nga hapësira virtuale, duke mbrojtur më mirë qytetarët në epokën digjitale. Drafti pritet të hidhet në konsultim publik në ditët në vijim.