
Vijon të mbetet kritike situata në malin e Shpiragut, ku prej ditës së djeshme një zjarr masiv ka përfshirë një sipërfaqe të madhe, duke rrezikuar zonat e banuara përreth.
Forca zjarrfikëse janë angazhuar në përpjekje për të vënë nën kontroll flakët, por pa sukses. Situata është më problematike në afërsi të fshatrave Galinë dhe Paftal, ku zjarri është afruar rrezikshëm pranë banesave.
Ndërkohë, banorët e fshatrave të rrezikuar kanë dalë në ndihmë për shuarjen e zjarrit, por shprehen të shqetësuar për mungesën e informacionit.
Ata thonë se nuk kanë marrë ende ndonjë njoftim për evakuim nga autoritetet, ndërsa shpresa e tyre e vetme mbetet devijimi i drejtimit të flakëve.
Ky është viti i parë që një zjarr i tillë na afrohet kaq shumë. Jemi të frikësuar për shtëpitë tona,” – shprehen disa prej banorëve.