
Korea e Jugut po përballet me një situatë të rëndë emergjente pas reshjeve të dendura që kanë shkaktuar përmbytje masive dhe rrëshqitje të dheut në disa rajone të vendit. Zyra Kombëtare për Menaxhimin e Fatkeqësive njoftoi se deri më tani janë konfirmuar 14 viktima, ndërsa 12 persona të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Pamje dramatike kanë ardhur nga qyteti turistik Gapyeong, ku banorët, të rrethuar nga balta dhe urat e shembura, përpiqen të arrijnë në qendrat e evakuimit. Vetëm në këtë qytet janë raportuar dy të vdekur dhe katër të zhdukur pas një rrëshqitjeje që ka përfshirë disa banesa.
Situata është më kritike në rajonin qendror të Chungcheong, ku një fshat i tërë është mbuluar nga balta dhe rrënojat. Ndërkohë, në qarkun jugor të Sancheong janë konfirmuar gjashtë viktima dhe shtatë persona të zhdukur, duke e renditur këtë zonë ndër më të goditurat nga fatkeqësia.
Autoritetet koreane kanë evakuuar mbi 10 mijë banorë që prej ditës së mërkurë, ndërsa më shumë se 41 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike. Dëmet janë të përhapura në të gjithë vendin, ku mijëra ndërtesa, rrugë dhe struktura infrastrukturore janë përmbytur ose dëmtuar rëndë.
Pasojat ekonomike pritet të jenë të ndjeshme, pasi janë raportuar dëme serioze edhe në sektorin e bujqësisë dhe mbarështimit të bagëtive. Rajonet malore në veri të Seulit dhe zona të tjera veriore e perëndimore gjithashtu kanë raportuar dëme të mëdha dhe humbje në njerëz.
Autoritetet janë në gatishmëri të lartë dhe operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në shumë zona, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se reshjet e shiut mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.