Tragjedi në det: Anija shpërthen në flakë pranë Indonezisë, 5 të vdekur dhe qindra të shpëtuar

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pranë brigjeve të Indonezisë, ku një anije pasagjerësh me 280 persona në bord është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar panik dhe pesë viktima të konfirmuara deri më tani.

Ngjarja ka ndodhur këtë të shtunë rreth orës 13:30 me orën lokale, ndërsa anija “KM Barcelona” ishte në lëvizje përgjatë itinerarit Manado–Tahunda. Zjarri ka shpërthyer papritur në bordin e anijes, duke detyruar pasagjerët e tmerruar të hidhen në det me jelekë shpëtimi.

Sipas dëshmitarëve, momentet dramatike janë kapur nga kamerat e telefonave dhe janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale. Pamjet tregojnë një zjarr masiv që përfshin anijen dhe një re të dendur tymi që ngrihet në qiell.

“Njerëzit bërtisnin dhe qanin nga frika, por falë ndërhyrjes së ekuipazhit, shumica u evakuuan me sukses në ujë,” raportojnë mediat lokale.

Autoritetet bregdetare indoneziane kanë nisur një operacion kërkim-shpëtimi për të siguruar çdo të mbijetuar të mundshëm, ndërkohë që pritet të zbardhen shkaqet e shpërthimit.

Ndërkohë, pesë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur ose janë në gjendje shoku. Gjendja e disa prej të shpëtuarve paraqitet serioze.

Hetimet janë në vijim për të përcaktuar se si shpërtheu zjarri dhe nëse ka pasur shkelje të protokolleve të sigurisë.