
Prej më shumë se një jave, zjarri i përhapur në fshatin Belishovë të Mallakastrës vijon të mbajë në alarm autoritetet dhe banorët. Flakët, të cilat kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe me bimësi dhe ullishte, kanë dalë jashtë kontrollit, duke sjellë dëme të konsiderueshme në mjedis dhe ekonomi lokale.
Që në orët e para të mëngjesit të sotëm, 30 trupa të ushtrisë janë angazhuar në operacionin për shuarjen e zjarrit, në mbështetje të shërbimeve zjarrfikëse, emergjencave civile dhe forcave të policisë bashkiake.
Ndërhyrja intensive ka bërë që në mëngjes flakët të jenë me intensitet më të ulët, por rreziku mbetet ende i lartë për shkak të terrenit të vështirë dhe erërave që favorizojnë përhapjen e zjarrit.