Dumani i drejtohet qeverisë: Mos ndërhyni në pavarësinë e SPAK me rekomandime të paqarta

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka dërguar një mesazh të fortë në drejtim të qeverisë, duke kërkuar mosndërhyrje në pavarësinë institucionale të Prokurorisë së Posaçme, përmes rekomandimeve të paqarta apo ndërhyrjeve të tërthorta.

🎧 Dëgjo artikullin në Shqip
Gati për lexim në Shqip

Deklarata u bë gjatë një tryeze të organizuar për vlerësimin e arkitekturës institucionale të SPAK, me fokus tek performanca, integriteti dhe garancitë për pavarësinë e prokurorëve të posaçëm.

Në fjalën e tij, Dumani theksoi:

“Në funksion të pavarësisë së brendshme, si drejtues i SPAK, kam deleguar thuajse të gjitha komunikimet që prokurorët bëjnë me institucionet e tjera. E ndërmora këtë hap duke iu garantuar këtë pavarësi, pra që prokurorët të komunikojnë në mënyrë të pavarur me institucionet, pa u përfshirë si drejtues i SPAK, përjashtuar në disa raste hetimi.”

Ai shtoi se çdo përpjekje për të ndikuar në punën e SPAK, qoftë edhe përmes “rekomandimeve” pa bazë të qartë ligjore, cenon ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e drejtësisë së pavarur.

Ndër të tjera, Dumani ngriti edhe shqetësimin për mungesën e qartësisë ligjore mbi statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre.

“Në raportimet periodike në Kuvend dhe KLP, kemi kërkuar zgjidhje për këtë boshllëk ligjor. Prokurorët e posaçëm meritojnë një përgjigje të qartë, cilado qoftë ajo,” – tha ai.

Këto deklarata vijnë në një klimë tensioni mes institucioneve të drejtësisë dhe ekzekutivit, ku përplasjet mbi kufijtë e kompetencave dhe ndërhyrjet politike janë bërë më të dukshme, veçanërisht me afrimin e proceseve sensitive gjyqësore ndaj figurave të njohura politike dhe ekonomike.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
8 July, 13:21 | Përditësimi: 8 July, 13:21