Franca dhe Greqia ekstradojnë në Shqipëri dy të kërkuar për krime të rënda

Interpol Tirana ka finalizuar me sukses ekstradimin e dy shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, falë bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet greke dhe franceze.

Sipas njoftimit zyrtar, janë ekstraduar:

  • V. D., 46 vjeç, i kapur në Greqi. Ai ishte në kërkim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, që në vitin 2015 i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje me paramendim”, mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
  • P. D., 50 vjeç, i arrestuar në Francë, ishte i shpallur në kërkim nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim parash, kryer në kuadër të një organizate kriminale.

Të dy të ekstraduarit tashmë ndodhen në Shqipëri dhe do të përballen me drejtësinë për veprat penale që u ngarkohen. Autoritetet theksojnë se operacione të tilla vijojnë të jenë prioritet për strukturat e specializuara, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe kapjes së personave në arrati