
Në kulmin e temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve, qytetarët e Elbasanit dhe bashkive përreth do të përballen me një tjetër goditje: rritjen drastike të çmimit të ujit të pijshëm, që do të hyjë në fuqi nga data 1 gusht 2025.
Sipas vendimit të fundit, tarifa për metër kub ujë do të shkojë në 60 lekë, nga 40 deri në 48 lekë që ishte më parë. Kjo rritje kap nivelin më të lartë të dekadës, duke ndikuar drejtpërdrejt në buxhetin familjar të mijëra qytetarëve.
Bashkitë e prekura përfshijnë:
- Elbasani
- Librazhdi
- Peqini
- Gramshi
- Cërriku
- Belshi
Në Gramsh, rritja shkon deri në 87%, ndërsa qytetarët e tjerë do të paguajnë mesatarisht 60 lekë për çdo metër kub ujë.
Pse rritet çmimi?
Shoqëria Rajonale “UK Elbasan” sh.a ka kërkuar rishikimin e tarifave duke u mbështetur në një vendim të mëparshëm të Komisionit Kombëtar të Rregullimit të Rrjetit (KKRR), nr. 539, datë 30.12.2021, i ndryshuar.
Autoriteti Rregullator i Ujit (ERRU) ka dhënë miratimin, por ka vendosur kushte: përshpejtim të instalimit të matësve të konsumit, përmirësim të sistemit të matjes në burim dhe ulje të humbjeve.
Pak ujë, shumë lekë
Rritja e çmimit vjen në një kohë kur shumë zona raportojnë furnizim të dobët me ujë, ndërprerje të shpeshta, mungesë të matësve dhe rrjedhje të vazhdueshme në rrjetin e amortizuar.
Një familje me konsum mesatar prej 15 m³ në muaj, do të paguajë nga 600 deri në 900 lekë më shumë në muaj, krahasuar me tarifat aktuale – një kosto që, në kushtet e inflacionit dhe krizës ekonomike, rëndon ndjeshëm mbi qytetarët.
Reagime në pritje
Deri më tani, asnjë reagim zyrtar nga bashkitë apo përfaqësuesit vendorë nuk është bërë publik, ndonëse vendimi ka shkaktuar pakënaqësi në rritje mes qytetarëve, të cilët kërkojnë jo vetëm ndalimin e rritjes, por edhe përmirësim të cilësisë së shërbimit