Arrestohet “truri” i mashtrimit të Bankers Petroleum, në pranga ish-shefi i financës Ardit Kero

Arrestohet Ardit Kero, ish-burri i Arbana Osmanit, truri financiar i skemës shumëmilionëshe me Bankers Petroleum

Fier – Policia ka arrestuar Ardit Kero, ish-bashkëshorti i moderatores së njohur Arbana Osmani, si personi kyç në një skemë të madhe evazioni dhe pastrimi parash në bashkëpunim me drejtues të kompanisë Bankers Petroleum Albania.

Sipas burimeve të Prokurorisë së Fierit, Kero ka qenë shefi i financës dhe truri financiar i operacioneve që kanë shkaktuar dëme të rënda financiare për shtetin shqiptar, përmes fryrjes së shpenzimeve, faturave fiktive dhe shmangies së tatim-fitimit.

Hetimet zbulojnë se për dy dekada, kompania Bankers, përmes drejtuesve të saj kanadezë dhe kinezë, ka zhvatur burimet e nëntokës shqiptare, duke gjeneruar mbi 4 miliardë euro nga shitja e naftës në Patos-Marinzë, ndërsa kontributi në buxhetin e shtetit mbetet minimal.

Në pranga ka rënë vetëm Kero, por hetimet përfshijnë edhe ish-drejtues të tjerë të kompanisë, mes tyre Leonidha Çobo, Qing Fang, Xingyun Sun, Jonathan Paul Harris, Chang Zhong Xu, Linaghong He, Feng Qin dhe drejtuesin aktual Hongping Xiao, i cili sipas hetimeve ka vendosur për vete një pagë prej 1 milion euro në vit, teksa kompania deklaron shpenzime fiktive për të shmangur taksat.

Fshehje pronarësh dhe dyshime për përfitues politikë

Sipas Prokurorisë, Bankers nuk ka deklaruar pronarët përfitues, duke përdorur struktura offshore dhe kode të paidentifikueshme, gjë që ngre dyshime për përfshirjen e politikanëve shqiptarë në këtë aferë shumëvjeçare. Për këtë është vënë në shënjestër edhe QKB, për moszbatim të ligjit të transparencës.

Skandali pritet të marrë përmasa më të mëdha me zgjerimin e hetimeve ndaj individëve që mund të kenë përfituar në heshtje nga skema e zhvatjes së pasurisë kombëtare përmes një kompanie private që ka vepruar si shtet brenda shtetit.