
Zjarr i fuqishëm ka përfshirë ishullin grek të Kretës, duke detyruar evakuimin e rreth 5.000 personave, mes tyre 3.000 turistë dhe 2.000 banorë, si pasojë e përhapjes së flakëve nga erërat e forta dhe moti ekstremisht i thatë.
Zjarri shpërtheu mbrëmjen e së mërkurës në zonën turistike pranë qytetit Ierapetra, në juglindje të ishullit. Evakuimet u kryen kryesisht gjatë natës, ku shumë prej turistëve janë strehuar në palestra dhe ambiente publike, konfirmuan autoritetet lokale për mediat greke.
Sipas presidentit të Shoqatës Rajonale të Hoteleve, Yorgos Tzarakis, vendimi për largimin masiv u mor si masë paraprake për të garantuar sigurinë, ndërkohë që nënprefekti Yannis Androulakis sqaroi se avionët zjarrfikës nuk mundën të operonin gjatë natës, duke e bërë terrenin më të vështirë për ndërhyrje.
Situata konsiderohet kritike, ndërsa Greqia përjeton një tjetër valë të rrezikshme zjarresh, të ngjashme me ato të verave të fundit. Autoritetet greke kanë bërë thirrje për vigjilencë dhe bashkëpunim nga qytetarët dhe turistët në zonat e rrezikuara.
Shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e mbrojtjes civile vijojnë betejën me flakët, në një përpjekje për të kufizuar përhapjen e tyre në zonat e banuara dhe struktura hotelerie.