Tragjedia e Diogo Jotës/ Zbulohet pse po udhëtonte me makinë drejt Anglisë dhe shmangu avionin

Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti tragjik që i mori jetën Diogo Jotës, yllit të Liverpool-it, dhe vëllait të tij Andre, ndërsa po udhëtonin me Lamborghini-n e tyre në autostradën A-52, pranë Cernadillës, vetëm 15 km nga kufiri me Portugalinë.

Sipas mediave portugeze, një shpërthim i gomës gjatë një parakalimi dyshohet të ketë qenë shkaku që makina doli nga rruga, u rrokullis disa herë dhe më pas mori flakë. Të dy vëllezërit humbën jetën në vend.

Burimet mjekësore zbulojnë se Diogo Jota, vetëm pak ditë pas martesës me partneren e tij Rute në qytetin e tij të lindjes, Porto, ishte në rikuperim pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në mushkëri, për shkak të së cilës mjekët i kishin ndaluar të fluturonte me avion.

Për këtë arsye, ai kishte zgjedhur të udhëtonte drejt Santander-it përmes rrugës tokësore, ku më pas do të merrte tragetin për në Plymouth (Angli), për t’u bashkuar me ekipin e Liverpool në stërvitjet para-sezonale që nisnin të hënën.

Humbja e Jotës në moshën 28-vjeçare ka tronditur botën e futbollit dhe jo vetëm. Liverpool, Federata Portugeze dhe qindra mijëra tifozë kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për familjen dhe komunitetin sportiv.