Studiuesja shqiptare Kozeta Miliku mes 5 shkencëtareve më të mira në Kanada, vlerësohet për kërkime mbi obezitetin

Kozeta Miliku, një emër që ka rrënjë në Shqipëri dhe sukses ndërkombëtar, është vlerësuar si një nga 5 shkencëtaret më premtuese në Kanada, sipas prestigjiozes “The Globe and Mail”.

Ky vlerësim vjen falë punës së saj kërkimore në fushën e shëndetit të fëmijëve dhe ushqyerjes, ku gjetjet e saj mbi ndikimin e ushqimeve të përpunuara në obezitetin e fëmijëve nën 3 vjeç janë kthyer në temë debati kombëtar në Kanada.

Miliku, e cila ka studiuar për mjekësi dhe është specializuar më tej në shëndet publik dhe epidemiologji, ka treguar se shumë sëmundje mund të parandalohen që në fëmijëri, përmes ndërhyrjes në mënyrën e të ushqyerit dhe faktorëve mjedisorë.

E rritur në Shqipëri, Miliku rrëfen se ëndrra e saj për t’u bërë mjeke nisi që fëmijë, kur luante “doktorin” me kushëririn dhe fqinjët. Sot ajo është një shembull frymëzues për vajzat dhe gratë shqiptare kudo në botë, duke dëshmuar se me punë dhe përkushtim, suksesi ndërkombëtar është i mundur.

Ky vlerësim është një tjetër dëshmi e kontributit të diasporës shqiptare në shkencë dhe shëndet global.