
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot dy takime të rëndësishme me përfaqësues politikë dhe lokalë të Partisë Socialiste në Tiranë dhe Vlorë, ku theksi u vendos te puna në terren dhe përgjegjësitë përballë qytetarëve.
Takimi në Tiranë, i zhvilluar me deputetët e zgjedhur të 11 majit dhe drejtuesit e bashkisë, u mbajt në një hotel privat dhe pati natyrë konfidenciale. Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Rama u ka kërkuar të gjithëve të jenë më pranë qytetarëve dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja për Tiranën.
Ndërkohë, në Vlorë, Rama zhvilloi një mbledhje 90-minutëshe në bashki, ku kritikat e ashpra kanë qenë të drejtpërdrejta ndaj kryebashkiakut Ermal Dredha për menaxhimin e dobët të sezonit turistik, mungesën e ujit të pijshëm dhe ankesat e qytetarëve.
Kreu i qeverisë ka kërkuar largimin e të gjithë drejtorëve aktualë në bashki dhe riformatim total të strukturave drejtuese. Edhe deputetët e Vlorës nuk kanë shpëtuar pa kritika, me Ramën që u kërkoi reflektim të menjëhershëm.
Në fund të mbledhjes, ai njoftoi ndryshime në drejtimin e PS-së në Vlorë, duke komanduar Klevis Kason dhe Erjona Ismailin në vend të Pirro Vengut dhe Vilma Bellos, të cilët kishin drejtuar fushatën e fundit.