
Cërrik/ Rama: AKU bën më shumë dëm se mirë, duhet ndaluar me urgjencë – kërkohet pezullimi dhe ristrukturimi i thellë i institucionit
Gjatë një takimi të zhvilluar në Cërrik me fokus te bujqësia dhe zhvillimi rural, kryeministri Edi Rama lëshoi kritika të forta ndaj Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke kërkuar pezullimin urgjent të aktivitetit të këtij institucioni.
Sipas kryeministrit, AKU nuk po përmbush misionin e saj, por përkundrazi, ka shkaktuar dëme në sektorin bujqësor dhe në aktivitetin e sipërmarrjeve që operojnë në fshat.
“AKU duhet ndaluar me urgjencë që të vazhdojë të veprojë, sepse më shumë se sa mirë, bën dëm”, – deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se duhet ngritur një komision i posaçëm për të analizuar burimet njerëzore të AKU-së, ndërsa theksoi se procesi i bashkimit të inspektorateve, i vendosur me ligj, duhet të kalojë në një filtër të rreptë selektimi profesional.
Në të njëjtin takim, Rama vuri në dukje edhe shkëputjen e kryebashkiakëve nga fshati dhe mospërfshirjen e tyre aktive në zhvillimin rural pas reformës territoriale-administrative, duke theksuar se vëmendja është kufizuar vetëm në infrastrukturë dhe jo në mbështetje konkrete për bujqësinë dhe sipërmarrjet në zonat rurale