
Finalizohet në Vlorë operacioni “Il Obiettivo” – Arrestohet për ekstradim 45-vjeçari i dënuar në Itali për vrasje
Strukturat e Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe zyrat homologe të Interpolit në Itali, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Il Obiettivo”, për lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në lagjen “Rilindja” të qytetit të Vlorës, është arrestuar provizorisht me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasi:
🟥 Renald Gjini, 45 vjeç, banues në Vlorë.
Sipas autoriteteve italiane, Gjykata e Apelit në Bolonja e ka dënuar me 12 vjet e 10 muaj burgim, për “Vrasje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve”, në bazë të legjislacionit penal italian.
Operacioni u realizua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Seksioni Operacional në DVP Vlorë, bazuar në informacion të siguruar në rrugë operative, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Interpolin.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma janë duke vijuar bashkëpunimin për procedurat e mëtejshme të ekstradimit të Renald Gjinit drejt Italisë, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.
Policia e Vlorës konfirmon angazhimin e saj të pandërprerë në luftën kundër krimit të organizuar, brenda dhe jashtë territorit të vendit