Zjarri përfshin tregun industrial në Durrës, prefekti: Dyshojmë për shkëndijë elektrike, mungojnë kushtet e sigurisë

Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e sotme tregun industrial në zonën e plazhit, lagjia nr. 13, në Durrës. Flakët janë përhapur me shpejtësi duke rrezikuar më shumë se 20 dyqane verore të ndërtuara me struktura të përkohshme.

Në vendngjarje janë angazhuar forca të shumta zjarrfikëse nga Durrësi, Shijaku, Kavaja, Kamza, si dhe strukturat e emergjencës të Autoritetit Portual Durrës. Furnizimi me ujë është bërë me bote nga të gjitha institucionet e qarkut, ndërsa tregtarët janë parë duke u përpjekur të shpëtojnë mallrat nga dyqanet e tyre.

Prefekti i Qarkut Durrës, Emiljano Jani, në një dalje për mediat, deklaroi se zjarri ishte masiv dhe se ndërhyrja e koordinuar e strukturave zjarrfikëse bëri të mundur që flakët të mos përhapeshin më tej.

“Nuk kemi ende një vlerësim të saktë të dëmeve, por ato janë të konsiderueshme. Dyshohet që zjarri të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, pasi tregu nuk përmbush asnjë kriter teknik sigurie, me instalime elektrike të përkohshme e jo të standardizuara,” tha prefekti.

Ai shtoi se tregu menaxhohet nga subjekte private dhe është ndërtuar mbi një infrastrukturë të dobët, çka ka kontribuar në përmasat e mëdha të zjarrit.

Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima apo të lënduar, ndërsa puna për vënien nën kontroll të plotë të flakëve vijon ende.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkakut të saktë të zjarrit.