Aksident në Laprakë, përplasen 6 automjete mes tyre taksi dhe makinë policie, plagosen tre persona

Tiranë – Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e kësaj të shtune në zonën e Laprakës, në Tiranë, ku janë përfshirë gjashtë automjete, mes tyre një taksi, një autobus dhe një automjet policie.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30, në rrugën “Dritan Hoxha”, në vendin e quajtur “Semafori i Laprakës”.

Si pasojë e përplasjes janë lënduar tre persona:

🔹 Drejtuesi dhe pasagjeri i automjetit të Policisë, shtetasit E. Gj. dhe E. J.

🔹 Drejtuesi i taksisë, shtetasi A. M.

Të plagosurit janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje mbërritën forcat e Policisë Rrugore dhe një grup hetimor që po punon për të sqaruar shkaqet e aksidentit dhe për të dokumentuar përgjegjësitë.