
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka deklaruar me tone sfiduese se Irani “nuk do t’i dorëzohet kurrë” Shteteve të Bashkuara, në fjalimin e tij të parë publik pas hyrjes në fuqi të armëpushimit me Izraelin.
Khamenei, 86 vjeç, e cilësoi përballjen ushtarake 12-ditore si një fitore për Iranin, duke përmendur veçanërisht sulmin ndaj bazës ajrore amerikane “Al-Udeid” në Katar, të cilën e quajti kulmin e kundërpërgjigjes ndaj ofensivës izraelite të mbështetur nga SHBA.
“Presidenti amerikan [Donald] Trump zbuloi të vërtetën kur tha se SHBA nuk do të kënaqet me asgjë më pak se dorëzimi i Iranit. Por kjo nuk do të ndodhë kurrë,” u shpreh Khamenei.
Deklarata e tij u bë vetëm dy ditë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit që ndaloi luftën më të përgjakshme mes Iranit dhe Izraelit në dekada. Kjo ishte edhe paraqitja e parë publike e liderit suprem që nga 19 qershori, dhe vjen në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar, pas bombardimit të centralit bërthamor iranian nga SHBA.