Hiqen çadrat pa leje në Radhimë e Orikum

Policia Bashkiake e Vlorës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka nisur një aksion për lirimin e hapësirave publike dhe verifikimin e subjekteve që shfrytëzojnë vijën bregdetare pa kontratë.

Efektivët e dy strukturave kanë ndërhyrë në zonat turistike të Radhimës dhe Orikumit, ku janë konstatuar disa subjekte që kishin zaptuar hapësirat publike në kundërshtim me ligjin ose nuk dispononin dokumentacionin përkatës për shfrytëzimin e plazhit.
Gjatë aksionit janë hequr shezlongë, çadra dhe struktura të përkohshme që ishin vendosur pa leje, ndërsa disa prej subjekteve janë paralajmëruar apo proceduar për shkelje të ligjit.

Autoritetet kanë paralajmëruar se kontrolle të tilla do të vijojnë në të gjithë gjatësinë e bregdetit të Vlorës, me qëllim garantimin e hapësirave publike për pushuesit dhe zbatimin e ligjshmërisë.
Në prag të sezonit turistik, bashkia dhe policia kanë theksuar se nuk do të lejohet asnjë abuzim apo zaptim i paligjshëm i bregdetit.