
Shtëpia e Bardhë ka reaguar fuqishëm lidhur me tensionet në rritje mes Izraelit dhe Iranit, duke dërguar një mesazh të qartë ndaj regjimit iranian përmes konferencës së radhës për shtyp të mbajtur nga sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt.
Duke lexuar një deklaratë të drejtpërdrejtë të Presidentit Donald Trump, ajo theksoi se vendimi për përfshirje ushtarake në konfliktin e Lindjes së Mesme do të merret brenda dy javëve, duke pasur parasysh mundësinë e negociatave me Iranin.
“Presidenti ka qenë i qartë për dekada – Irani nuk duhet dhe nuk do të pajiset kurrë me armë bërthamore,” tha Leavitt. Ajo shtoi se “pothuajse i gjithë njerëzimi bie dakord për këtë përveç regjimit terrorist iranian.”
Në deklaratat e saj, Leavitt përforcoi gatishmërinë amerikane për të përdorur forcën nëse është e nevojshme. “Ushtria amerikane është forca më e fortë dhe më vdekjeprurëse në botë. Ne kemi aftësi që askush tjetër në këtë planet nuk i zotëron,” theksoi ajo.
Presidenti Trump, sipas saj, dëshiron të ndjekë rrugën e diplomacisë, por nuk do të hezitojë nëse do të duhet të veprojë ushtarakisht për të mbrojtur interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në rajon.