
Partia Socialiste festoi me një javë vonesë 34-vjetorin e krijimit të saj, për shkak të mungesës së kryetarit Edi Rama, i cili ndodhej në SHBA për dasmën e djalit të George Soros. Eventi u mbajt përpara selisë rozë, me pjesëmarrjen e figurave të rëndësishme të së majtës, si Gramoz Ruçi, Arta Dade, dhe kandidatja më e votuar e PS-së në zgjedhjet e fundit, Sara Mila.
Megjithatë, u vu re mungesa e disa figurave të njohura. Pandeli Majko, ish-kryeministër dhe një nga emrat historikë të PS-së, nuk ishte i pranishëm. Ai nuk arriti të siguronte mandat në Parlamentin e ri përmes listës së hapur. Shkaqet e mungesës së tij nuk janë bërë të ditura.
Gjithashtu munguan edhe Taulant Balla, Fatmir Xhafaj dhe Toni Gogu. Këta të fundit ndodhen në Strasburg, si pjesë e delegacionit shqiptar në Komitetin e Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.
Në fjalimin e tij, Rama u shpreh:
“Edhe ata që nuk janë të pranishëm, janë pjesë e pandashme e kësaj familjeje politike. Festa vjen pas një fitore shumë domethënëse për PS-në.”