
12-vjeçari shqiptar u mbyt në lumë në Greqi, babit të së miturit i jepet leje për të marrë pjesë në funeralin e të birit
Një tragjedi e rëndë ndodhi në lumin Arachthos në zonën e Artës, Greqi, ku dy fëmijë, një 12-vjeçar shqiptar dhe shoku i tij grek 14-vjeçar, humbën jetën pas një mbytjeje. Fëmijët qëndruan nën ujë për rreth 20 minuta, derisa u nxorën nga një emigrant shqiptar me origjinë nga Berati. Megjithëse u transportuan menjëherë në spitalin e Rios dhe u kryen përpjekje intensive mjekësore, ata u shpallën të vdekur dy ditë pas ngjarjes.
14-vjeçari Spiro ishte hedhur në lumë për të shpëtuar shokun e tij Kleon, por përpjekja përfundoi në tragjedi për të dy. Në një akt humanitar, familjet e viktimave kanë vendosur të dhurojnë organet e fëmijëve të tyre. Veshka dhe pankreasi i Kleonit do të transplantohet në qytetin e Patras, ku do t’i dhurohen një 40-vjeçari nga Peloponezi Perëndimor.
Kleoni do të prehet në Shqipëri, dhe autoritetet greke kanë dhënë leje që babai i tij të udhëtojë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore. Ministri i Imigracionit i Greqisë, Makis Voridis, deklaroi se shteti grek i ka dhënë babait një leje qëndrimi për arsye humanitare, e cila do t’i mundësojë atij lëvizjen e nevojshme për funeralin dhe kthimin në Greqi. Voridis theksoi se ky është një shembull i kuadrit institucional që trajton rastet e jashtëzakonshme me ndjeshmëri dhe humanizëm.