
Gjykata e Posaçme ka vendosur që më 20 qershor, ora 11:30, të shqyrtojë kërkesën e ish-Presidentit Ilir Meta për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Meta, që ndodhet në paraburgim prej 21 tetorit 2024, kërkon një masë më të butë sigurie, me argumentin se janë tejkaluar afatet ligjore dhe SPAK nuk ka paraqitur informacione dy mujore mbi hetimin.
Sipas mbrojtjes, kjo përbën shkelje të të drejtave procedurale. Ndërkohë, Ilir Meta po hetohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të origjinës së tyre në lidhje me dosjet CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe shpenzimet familjare.