
Qeveria ka miratuar një ligj të ri për bashkëpronësinë, i cili vendos rregulla më të rrepta për menaxhimin e pronës së përbashkët në pallate dhe e bën me detyrim pagesën mujore për shërbime si mirëmbajtja e ashensorit, fasadave apo hapësirave të përbashkëta.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, deklaroi se rregullorja e re do të legjitimojë rolin e administratorëve dhe do t’u japë atyre të drejtën të lëshojnë fatura me fuqi ligjore, të cilat përbëjnë detyrim fiskal për qytetarët.
“Administratori do të pajiset me NIPT dhe mund të lëshojë një faturë që konsiderohet titull ekzekutiv. Qytetari nuk ka më të drejtë të refuzojë pagesën mujore,” tha Mazniku në “Top Story”.
Ky ndryshim synon të ndalë neglizhencën në pagesa dhe të sigurojë mirëmbajtjen e vazhdueshme të objekteve në bashkëpronësi.