Policia Kufitare shpëton 8 shtetas në Vlorë dhe Dhërmi që mbetën në det nga defekte në mjete lundruese

Vlorë – Policia Kufitare ka ndërhyrë me shpejtësi në dy raste emergjente në zonat detare të Vlorës dhe Dhërmiut, duke shpëtuar 8 shtetas që kishin mbetur në det për shkak të defekteve në mjete lundruese.

Në rastin e parë, një gomone me 4 shtetas në bord pësoi defekt rreth 1 milje larg zonës së Shën Janit. Pas njoftimit nga SPK Triport, mjeti lundrues i Policisë Kufitare u nis menjëherë drejt zonës dhe shoqëroi gomonen dhe pasagjerët e saj në stacion, pa probleme shëndetësore.

Në rastin e dytë, SPK Dhërmi mori njoftim për 4 shtetas që po lundronin me kanoe në plazhin e Porto Palermos dhe mbetën të bllokuar në det. Policia Kufitare ndërhyri me sukses dhe i solli të gjithë të evakuuarit në breg, në gjendje të mirë.

Policia Kufitare e Vlorës mbetet në gatishmëri të vazhdueshme për të garantuar sigurinë në ujërat territoriale dhe për të reaguar me profesionalizëm në çdo situatë emergjente.