Barazimi me Letoninë rrezikon pozitat e Shqipërisë, Serbia afrohet me vendin e dytë

Shqipëria është ndalur në një barazim 1-1 ndaj Letonisë, në një përballje vendimtare për kualifikueset e Botërorit “USA-Meksikë-Kanada 2026”. Edhe pse kuqezinjtë ruajnë vendin e dytë në Grupin K, pozitat e tyre janë vënë seriozisht në rrezik pas këtij rezultati.

Ndërkohë, Serbia ka marrë një fitore të pastër 3-0 ndaj Andorrës dhe tashmë ndodhet vetëm një pikë larg Shqipërisë, me dy ndeshje më shumë për të zhvilluar. Me këtë ecuri, skuadra ballkanase është gjithnjë e më pranë vendit të dytë që çon në “play off”.

Në krye të grupit ndodhet Anglia, që duket se ka siguruar thuajse matematikisht kualifikimin direkt, duke i lënë skuadrave të tjera betejën për vendin e dytë.

Ndeshja e ardhshme për Shqipërinë do të luhet më 9 shtator në “Arenën Kombëtare”, sërish kundër Letonisë. Një sfidë vendimtare për të mbajtur gjallë shpresat për Botërorin 2026