
Në fshatin Peshtan i Madh, Njësia Administrative Frakull e Madhe, Bashkia Fier, jeta e fëmijëve është çdo ditë në rrezik, ndërsa autoritetet heshtin. Shkolla 9-vjeçare “Avdi Meta” ndodhet praktikisht mbi asfalt: dera kryesore e hyrjes është vetëm 40 centimetra larg rrugës ku kalojnë automjete me shpejtësi, pa asnjë sinjalistikë, mbrojtje apo kujdes institucional.
Banorët janë të tronditur dhe të indinjuar. Ata pyesin me dhimbje: “Kur të ndodhë tragjedia, çfarë do të thonë ata që sot bëjnë sikur nuk dëgjojnë?”.
Prindërit jetojnë me ankthin se mos fëmijët e tyre pësojnë ndonjë aksident fatal, ndërsa mësuesit, të pafuqishëm përballë kësaj situate absurde, kërkojnë me ngulm ndërhyrje. Shkolla është kthyer në një kurth për fëmijët – një hap gabim, një moment pakujdesie, dhe gjithçka mund të marrë fund në sekonda.
Drejtoria Arsimore dhe autoritetet lokale nuk kanë marrë asnjë masë konkrete, duke injoruar tërësisht rrezikun evident. Në një kohë kur siguria e nxënësve duhet të ishte prioritet absolut, fëmijët në Peshtan i Madh detyrohen të luftojnë për jetën çdo mëngjes e çdo pasdite.
Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme! Duhet vendosur sinjalistikë rrugore, ndërtuar gardh mbrojtës dhe garantuar siguri reale për nxënësit. Të mos presim viktima për të ndërgjegjësuar burokratët!
Jeta e një fëmije vlen më shumë se çdo justifikim institucional.