Rreth 200 mijë kërkesa për Shqipëri–Serbi! FSHF shpall shortin elektronik për biletat në “Arenën Kombëtare”

Interesi për ndeshjen Shqipëri–Serbi më 7 qershor në “Arena Kombëtare” ka qenë i jashtëzakonshëm, me mbi 200 mijë tifozë që kanë aplikuar për bileta përmes platformës online të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).

🎧 Dëgjo artikullin në Shqip
Gati për lexim në Shqip

Në një njoftim zyrtar, FSHF ka sqaruar procedurën që po ndiqet për përzgjedhjen e aplikuesve. Procesi është ndarë në disa faza të qarta dhe transparente:

🔸 Faza e aplikimit:

Ka nisur më 15 maj dhe ka përfunduar më 30 maj në orën 20:00. Çdo person ka pasur të drejtë të aplikojë për maksimumi katër bileta.

🔸 Shorti elektronik:

Nga data 31 maj deri më 2 qershor zhvillohet përzgjedhja përmes shortit elektronik, ku aplikuesit fitues do të marrin një e-mail me një link personal për të kryer blerjen.

🔸 Masa të rrepta sigurie:

Çdo biletë do të jetë e personalizuar me emër e mbiemër, ndërsa në hyrje të stadiumit do të kryhet verifikimi i identitetit nga Policia e Shtetit. Po ashtu, janë aplikuar filtra për të shmangur aplikimet e dyfishta, llogaritë e rreme dhe tentativat për abuzim.

🔸 Luftë ndaj spekulimeve:

Sistemi është menduar për të parandaluar blerjet masive nga platforma ndërkombëtare apo “tregtarët e biletave” që operojnë jashtë rregullit.

FSHF thekson se qëllimi është që çdo tifoz i vërtetë të ketë një mundësi të drejtë për të ndjekur nga stadiumi një nga përballjet më të rëndësishme të kombëtares shqiptare.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
2 June, 06:56 | Përditësimi: 2 June, 06:56