Mafia shqiptare goditet në Katalonjë: Dy të arrestuar, zbulohet rrjeti që mbushi rajonin me “ferma bari” dhe e ktheu në kopsht narkotik të Evropës

Një operacion i madh antidrogë ka çuar në goditjen e një klani të mafias shqiptare që operonte në Katalonjë të Spanjës, duke u marrë me kultivimin masiv të kanabisit dhe trafikun e tij. Policia rajonale katalanase, Mossos d’Esquadra, ndërhyri me forca speciale në zonat Camp de Tarragona dhe Terres de l’Ebre, ku zbuloi një rrjet të mirëorganizuar që kishte ngritur “ferma bari” në shkallë industriale.

Dy persona janë arrestuar gjatë operacionit, ndërsa të tjerë janë në kërkim ose nën hetim. Sipas mediave spanjolle, ky aksion përbën një ndër goditjet më të mëdha ndaj të ashtuquajturës “mafia e marihuanës” shqiptare, e cila ka shtrirë aktivitetin e saj kriminal në të gjithë rajonin.

Pamjet e publikuara nga operacioni tregojnë qartë përmasat e rrjetit dhe përgatitjen e strukturave të përfshira, duke konfirmuar shqetësimet e autoriteteve për transformimin e Katalonjës në “kopshtin narkotik të Evropës”.

Në përgjigje të këtij fenomeni të përhapur, qeveria spanjolle ka urdhëruar kontrolle të përditshme në territor dhe zhvillimin e aksioneve të njëpasnjëshme për të çmontuar rrjetet kriminale që merren me kultivimin e kanabisit. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare për të identifikuar të gjithë anëtarët e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.